Rruga e drejte e Allahut eshte rruga e lumturise
e premte, maj 30, 2008

Feja Islame

Çka është apo çka domethënë feja Islame ?!

Fjala “Islam” është një fjalë Arabe që do të thotë “t'ia nënshtrosh dhe dorëzosh vullnetin tënd Zotit të Gjithfuqishëm”. Fjala e ka të njëjtën rrënjë sikurse fjala Arabe “selam”, që do të thotë paqe. Ndryshe nga emrat që përdoren për fetë tjera, siç janë Budizmi, Hinduismi dhe Krishterimi, emri për fenë Islame është shpallur nga Zoti dhe bart një domethënie të thellë shpirtërore – vetëm duke ia nënshtruar vullnetin personal Zotit të Gjithfuqishëm njeriu mund të arrijë paqen e vërtetë ne këtë jetë dhe në Jetën e Përtejme.

Islami na mëson se fillimisht të gjitha fetë e kanë pasur porosinë esenciale të njëjtë – nënshtrimi me tërë qenien ndaj vullnetit të Zotit dhe adhurimi i Tij dhe vetëm i Tij. Për këtë arsye Islami nuk është fe e re, por është e njëjta e Vërtetë Finale e shpallur që Zoti ua shpalli të gjithë pejgamberëve, përfshirë Nuhun (Noa), Ibrahimin (Abrahamin), Musain (Moisiun) dhe Isain (Jezusin).

Çfarë qëllimi ka feja Islame ?!

Qëllimi i parimeve dhe mësimeve kur'anore është që t'i kalitë njerëzit shpirtërisht dhe moralisht, për të arritur lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Parimet islame mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e njerëzve në çdo vend. Ato janë të përjetshme, të pandryshueshme.

All-llahu xh.sh. në Kur'an na bën me dije:

"Me të vërtetë e vetmja fe e pranueshme te All-llahu është Islami"

Kush janë muslimanët ?!

Fjala Arabe “Musliman” do të thotë “dikush që i nënshtrohet vullnetit të Allahut”. Porosia e Islamit është e destinuar për tërë botën dhe kushdo që e pranon këtë porosi bëhet musliman. Disa njerëz gabimisht mendojnë se Islami është vetëm një fe për Arabët, por asgjë s’mund të jetë më larg nga e vërteta, meqë në të vërtetë mbi 80% e muslimanëve të botës s’janë Arabë! Edhe pse shumica e Arabëve janë muslimanë, ka edhe Arabë të cilët janë të Krishterë, Çifutë dhe ateistë.

Nëse shikohet në popujt e ndryshëm të cilët jetojnë në botën muslimane – prej Nigerisë deri te Bosnja dhe prej Marokos deri te Indonezia – është mjaft lehtë të shihet se muslimanët vijnë nga raca, grupe etnike dhe nacionalitete të ndryshme. Prej fillimit, Islami kishte një porosi universale për të gjithë njerëzit. Kjo mund të shihet në faktin se disa Shoqërues të hershëm të pejgamberit Muhamed nuk ishin vetëm Arabë, por poashtu Persianë, Afrikanë dhe Romakë Bizantinë.

Të qenit musliman nënkupton pranim të plotë dhe dëgjueshmëri aktive ndaj vullnetit të shpallur të Zotit të Gjithfuqishëm. Muslimani është një person i cili lirshëm pranon që besimet, vlerat dhe dogmën t’i bazojë në vullnetin e Zotit të Gjithfuqishëm. Në të kaluarën, edhe pse sot nuk shihet edhe aq, fjala “Muhamedan” shpesh është perdorur si emërtim për muslimanin. Ky emërtim është një term i gabuar dhe është rezultat i një shtrembërimi të bërë qëllimisht ose i injorancës së plotë.

Një prej arsyeve për idenë e gabuar është ajo se Evropianët për shekuj qenë mësuar se muslimanët e kanë adhuruar pejgamberin Muhamed në mënyrë të njëjtë siç e adhuruan të Krishterët Jezusin. Kjo absolutisht s’është e vërtetë, meqë muslimanit nuk i është e lejuar që të adhurojë ndonjë apo çfarëdo qoftë veç Zotit të Gjithfuqishëm.

Çfarë janë Mësimet e Islamit ?!

Baza e dogmës Islame është besimi në njësinë e Allahut [shqip. Zotit]. Kjo do të thotë të besosh se është vetëm një Krijues dhe Furnizues i çdo gjëje në univers, dhe se asgjë s’është hyjnore apo e denjë për adhurim përveç Tij. Të besosh në njësinë e Zotit do të thotë shumë më shumë se thjesht të besosh se është “Një Zot” – përkundër dy, tre apo katër.

Janë disa fe që pohojnë besimin në “Një Zot” dhe besojnë se përfundimisht ekziston vetëm një Krijues dhe Furnizues i universit. Mirëpo, Islami, jo vetëm që insiston në këtë, por poashtu refuzon përdorimin e fjalëve si “Zot” dhe “Shpëtimtar” për ndonjë përveç Zotit të Gjithfuqishëm. Islami poashtu refuzon përdorimin e të gjithë ndërmjetësuesve në mes Zotit dhe njeriut, dhe insiston që njerëzit t’i afrohen Zotit drejtpërdrejt dhe ta kufizojnë adhurimin vetëm në Të. Muslimanët besojnë se Zoti i Gjithfuqishëm është Përdëllyes, don dhe është i mëshirshëm.

Esenca e të pavërtetës është pohimi se Zoti nuk mund të përballet dhe t’i falë krijesat e Tij drejtpërdrejt. Duke ritheksuar barrën e mëkatit, si dhe pohimi se Zoti s’mund t’i falë mëkatet drejtpërdrejt, fetë e rrejshme mëtojnë që t’i dëshprojnë njerëzit nga mëshira e Zotit. Pasi që ata të jenë bindur se s’mund t’i afrohen Zotit drejtpërdrejt, njerëzit mund të çorientohen duke iu kthyer/lutur zotave të rrejshëm për ndihmë. Këta “zota të rrejshëm” mund të marrin forma të ndryshme, siç janë shenjtët, engjëjt, apo dikush i cili besohet të jetë “Bir i Zotit”. Gati në çdo rast, njerëzit të cilët adhurojnë, luten apo kërkojnë ndihmë prej një zoti të rrejshëm nuk e konsiderojnë apo thërrasin atë “zot”. Ata pohojnë besimin në Një Zot Suprem, por pohojnë edhe atë se u luten dhe i adhurojnë të tjerët krahas Zotit vetëm që t’i afrohen Atij më afër. Në Islam, ekziston nje dallim i qartë në mes Krijuesit dhe të krijuares. Nuk ka dykuptimësi në hyjni – çdo gjë që është e krijuar nuk vlen që të adhurohet dhe vetëm Krijuesi është i denjë që të adhurohet. Disa fe gabimisht besojnë se Zoti është bërë pjesë e krijimit të Tij, dhe kjo i ka shtyrë njerëzit të besojnë se ata mund të adhurojnë diçka të krijuar me qëllim që ta arrijnë Krijuesin e tyre.

Muslimanët bësojnë se edhe pse Zoti është unik dhe përtej të kuptuarit – Ai nuk ka “Bir”, ortak apo ndihmues. Sipas besimit musliman, Zoti i Gjithfuqishëm “nuk lind e as s’është i lindur” – as në kuptim të plotë të fjalës, as në mënyrë alegorike, metaforike, fizikisht apo meta-fizikisht – Ai është absolutisht unik dhe i përjetshëm. Ai kontrollon çdo gjë dhe është në mënyrë të përsosur i aftë që të vendosë mëshirën dhe faljen e Tij të pakufishme ndaj kujtdoqoftë që Ai e zgjedh. Kjo është ajo përse Ai quhet i Gjithfuqishmi dhe më i Mëshirshmi.

Zoti e ka krijuar universin për njeriun, dhe si i tillë dëshiron çdo të mirë për qeniet njerëzore. Çdo gjë në univers muslimanët e shohin si shenjë të aftësisë krijuese dhe dashamirësisë së Zotit të Gjithfuqishëm. Poashtu, besimi në njësinë e Zotit nuk është thjesht një koncept metafizik. Është një besim dinamik që ndikon në pikëpamjen e njeriut ndaj njerëzimit, shoqërisë dhe të gjitha aspekteve të jetës. Si një përfundim logjik ndaj besimit Islam në njësinë e Zotit, është besim në njësinë e njerëzimit dhe humanitetit.

Emërtimet:

Publikuar nga Feja Muslimane